Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot familjen e Arbnor Spahiut, i cili prej 7 qershorit po mbahet në mënyrë të padrejtë nga autoritetet serbe.
Në këtë vizitë, Kryeministrin Kurti e shoqëruan edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, si dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Liza Gashi.
Gjatë takimit me familjarët, Kurti i informoi ata për përpjekjet e vazhdueshme institucionale dhe hapat e ndërmarra deri më tani për të siguruar lirimin e menjëhershëm të Arbnor Spahiut. Ai i siguroi familjarët se angazhimi i institucioneve të Kosovës është maksimal dhe i pandërprerë, deri në kthimin e tij në shtëpi.
Familja Spahiu shprehu mirënjohje për vizitën dhe kujdesin e treguar nga përfaqësuesit institucionalë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes shtetërore në këtë periudhë të vështirë.