Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova është renditur ndër shtetet më të sigurta në botë për të investuar, duke zënë vendin e 26-të nga 226 shtete në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Henley & Partners.
Sipas Kurtit, Kosova kryeson në rajon dhe është pozicionuar përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke dëshmuar përparimin e vendit në stabilitet ekonomik dhe sundimin e ligjit.
“Ky rankim është dëshmi e radhës së rritjes sonë ekonomike dhe e fuqizimit të sigurisë e drejtësisë në vend. Këta faktorë po krijojnë një ambient të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe për investime të qëndrueshme në fusha të ndryshme,” – theksoi Kurti.
Ky vlerësim vjen vetëm pak muaj pas vendimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për ta hequr Kosovën nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe disa ditë pas raportit të po të njëjtit institucion që e renditi Kosovën me rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin 2025.
Pavarësisht sfidave globale dhe presioneve të jashtme, kryeministri në detyrë theksoi se Kosova po forcon stabilitetin institucional, po përmirëson kushtet për zhvillim socio-ekonomik dhe po garanton një klimë të sigurt e të qëndrueshme për investitorët.
Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë këtë arritje si një konfirmim të besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës dhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj që kërkojnë tregje të sigurta në Ballkanin Perëndimor.

