Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në ambientet e Kryeministrisë Presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa, në një takim që u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.
Në pamjet e publikuara nga takimi, Costa dëgjohet t’i drejtohet Ramës me fjalët: “Mik im, urime!”, duke theksuar marrëdhënien e mirë mes tyre dhe mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve evropiane për Shqipërinë.
Vizita e lartë zyrtare e Presidentit të Këshillit të Evropës në Tiranë vjen në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet nesër në kryeqytetin shqiptar. Ky samit pritet të mbledhë liderë nga mbarë Evropa për të diskutuar sfidat e përbashkëta të kontinentit dhe bashkëpunimin politik ndërmjet vendeve.
Takimi ndërmjet Ramës dhe Costës konfirmon rolin gjithnjë e më aktiv të Shqipërisë në arenën evropiane dhe pritshmëritë e larta që lidhen me organizimin e këtij samiti historik në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar përparimin konkret në këtë proces dhe ambicien për përmbylljen e tij deri në vitin 2027.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa, Rama nënvizoi se deri më tani janë hapur 16 kapituj negociues dhe se në ditët në vijim pritet të hapen edhe 8 të tjerë.
“Jemi këtu sot pas një turi të rëndësishëm të Presidentit Costa në rajon dhe është kënaqësi që ai ndodhet sërish në Tiranë. Është një mik i dashur dhe shumë i mençur,” tha Rama, duke vlerësuar angazhimin e Costës ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri bëri të ditur se diskutimet me Presidentin Costa përfshinë dy shtylla kryesore: procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet rajonale. Sipas tij, Bashkimi Evropian është më i hapur se kurrë më parë për pranimin e anëtarëve të rinj, por ky proces mbetet tërësisht i bazuar në merita.
“Siç e kemi ndarë me Komisionin Evropian, plani ynë është të mbyllim negociatat nga viti 2024 deri në 2027. Është një plan ambicioz, por i mundur. Shqipëria është në rrugë të mbarë,” deklaroi Rama.
Duke iu referuar rajonit, Rama u bëri thirrje liderëve të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të mos e humbasin këtë moment historik.
“Dëshiroj të ftoj të gjithë kolegët e rajonit që të shfrytëzojnë këtë gatishmëri të BE-së. Procesi i zgjerimit mund të përshpejtohet, por edhe të ngadalësohet – prandaj duhet vepruar tani,” theksoi ai.
Presidenti Antonio Costa ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe ku Shqipëria do të jetë nikoqire e liderëve më të rëndësishëm të Evropës.