Kombëtarja e Shqipërisë zhvillon nesër në orën 20:45 në “Air Albania” ndeshjen kyçe kundër Letonisë, një përballje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Para mediave dolën trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti, duke theksuar rëndësinë e sfidës.
Trajneri Sylvinho vlerësoi Letoninë si një ekip fizik dhe të organizuar, i rrezikshëm në goditjet standarde, dhe paralajmëroi ndryshime në formacion krahasuar me fitoren 0-1 ndaj Gjibraltarit tre ditë më parë. “Nesër do të jetë një ndeshje kyçe. Dy ditë më parë pamë Letoni 0-1 Serbi; ekipet janë në të njëjtin nivel. Nesër do të jetë ndryshe,” tha Sylvinho.
Sa i përket repartit sulmues, trajneri theksoi se lojtarët Broja dhe Asani janë në gjendje të mirë dhe vendimi për formacionin final do të merret pas stërvitjes së fundit. Ai shtoi se çdo ndeshje kualifikuese është e rëndësishme dhe sfidat e ardhshme në tetor dhe nëntor nuk duhet të ndikojnë në fokusin për takimin kundër Letonisë.
Kapiteni Gjimshiti nënvizoi se ekipi është i përgatitur dhe duhet të fitojë për të ruajtur shanset për kualifikim. “Kemi presion, kështu që përqendrimi është më i lartë. Nesër na duhen tri pikë për të pasur më shumë mundësi për kualifikimin,” tha ai, duke shtuar se skuadra ka mësuar nga gabimet në ndeshjet e fundit.
Renditja aktuale e Grupit K
-
Anglia – 12 pikë pas katër ndeshjeve
-
Serbia – 7 pikë pas tre ndeshjeve
-
Shqipëria – 5 pikë pas katër ndeshjeve
-
Letonia – 4 pikë pas katër ndeshjeve
-
Andorra – 0 pikë pas pesë ndeshjeve
Në historikun e përballjeve me Letoninë, Shqipëria ka regjistruar gjashtë barazime në gjashtë ndeshje, përfshirë edhe takimin e fundit më 10 qershor 2025 në Riga, që përfundoi 1-1.
Arbitrat
Arbitër kryesor do të jetë polaku Damian Sylwestrzak, me ndihmës Pawel Sokolnicki, Adam Karasewicz dhe Damian Kos. Në VAR do të jenë Piotr Lasyk dhe Pawel Malec.
Pas konferencës për media, ekipi zhvilloi stërvitjen e fundit përgatitore në “Air Albania”, duke u fokusuar në taktikat për sigurimin e tre pikëve të domosdoshme kundër Letonisë.