Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.
Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim me njëri tjetrin, me motiv hakmarrjen.
Aktakuza thekson se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.
Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkovin e saj.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit paraprakisht kishin vëzhguar zonën ku ndodhi ngjarja, duke zgjedhur një vend pa kamera sigurie dhe larg banesave. Prokuroria pretendon se ata i kishin zënë pritë autobusit që qarkullonte në linjën Gjakovë, Gllogjan, ndërsa gjatë sulmit mbetën të vrarë tre persona.
Organi i akuzës pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte shkuar në këmbë deri në vendin e ngjarjes. Me afrimin e autobusit, ai kishte dalë në mes të rrugës duke u shtirur si i dehur për ta detyruar shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi autobusi uli shpejtësinë, sipas aktakuzës, ai qëlloi në drejtim të shoferit Gani Gjokaj, duke e lënë të vdekur, ndërsa nga të shtënat humbën jetën edhe dy nxënës 17 vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe u plagos rëndë F.T.
Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Prokuroria pretendon se pas kthimit në shtëpi arma e përdorur në krim ishte shkatërruar.
Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj.

