Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment kyç transformimi, me investime që kapërcejnë shifrën prej 500 milionë eurosh, të cilat synojnë modernizimin e plotë të ndërmarrjes dhe përafrimin e saj me standardet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se këto investime përfaqësojnë një hap historik për sektorin energjetik të vendit, duke theksuar se KEK-u po shndërrohet në një kompani më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më konkurruese.
Sipas tij, projektet përfshijnë modernizimin e turbinave dhe investime të tjera në njësitë B1 dhe B2 të termocentralit Kosova B, rehabilitimin e thellë të njësisë A3, si dhe investime madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Për herë të parë, KEK-u po hyn edhe në sektorin e energjisë së ripërtritshme, përmes ndërtimit të një parku solar.
Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 megavat kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 megavat kapacitete të reja nga burimet e ripërtritshme, duke forcuar ndjeshëm sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Kurti ka bërë të ditur se që nga 19 dhjetori, KEK-u po operon me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të përballuar kërkesën e lartë për energji gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit.
Ai ka falënderuar punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për profesionalizmin dhe përkushtimin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen dhe mbikëqyrjen e projekteve transformuese.
“Sot, KEK-u po forcon themelet e energjisë së së ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve dhe të brezave që vijnë”, ka theksuar Kurti.
Transformimi i KEK-ut konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen energjetike të Kosovës, në një kohë kur kërkesa për energji të qëndrueshme dhe të pastër po rritet vazhdimisht.

