Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës. Pas homazheve pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti dhe dhurimit të gjakut, Kurti është parë duke ftuar për kafe ish-komandantin e Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, Adem Shehu.
Së bashku me Shehun, ministrin në detyrë të Mbrojtjes dhe vëllain e dëshmorit Ilir Konushevci, kryeministri është ndalur në lokalin “Matisse”, i cili ndodhet në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. Ky lokal është në pronësi të nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, i cili aktualisht mban edhe postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Pamje nga takimi janë shpërndarë nga aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook. Ai ka cituar gjeneralin Shehu, duke shkruar:
“Vazhdo Albin, vazhdo, se kështu po kryen detyrën e shenjtë që kemi ndaj Kombit, thoshte gjenerali Adem Shehu, në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, ku për një kafe u ndalën bashkë me Ministrin e Mbrojtjes dhe vëllain e dëshmorit Ilir Konushevci.”
Ky ndalim simbolik në lokalin e një figure të rëndësishme të opozitës, siç është Uran Ismaili, ka ngjallur interes në opinionin publik, veçanërisht për mesazhin që mund të bartë në një kontekst politik dhe shoqëror më të gjerë.