Në ceremoninë e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lart kontributin e këtij institucioni, duke e cilësuar atë si “themeli i sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Kurti theksoi se Policia ka dëshmuar guxim dhe besnikëri ndaj qytetarëve, duke mbrojtur vendin përballë sfidave të shumta. Ai kujtoi me nderim policët e rënë në krye të detyrës, përfshirë heronjtë Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri.
“Sakrifia e tyre është porosia jonë: çdo ditë të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të fortë. Policia e Kosovës është garancia jonë për rend, ligj, paqe, siguri dhe liri,” deklaroi Kurti.
Kryeministri nënvizoi se gjatë këtij viti, Policia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në veri të vendit, duke çmontuar struktura ilegale të mbështetura nga Serbia dhe duke rikthyer nën kontroll ndërtesa publike të uzurpuara.
Ai shtoi se aksionet e Inspektoratit Policor ndaj zyrtarëve të përfshirë në veprimtari të paligjshme tregojnë se “integriteti dhe pastërtia në polici nuk janë fushatë, por punë e vazhdueshme”.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe integrimin e komuniteteve në Policinë e Kosovës, duke theksuar se mbi 10% e efektivëve vijnë nga komunitetet jo-shumicë, gjysma prej tyre nga komuniteti serb.
Ai rikujtoi gjithashtu përmirësimet në infrastrukturë dhe kapacitetet e Policisë, përfshirë stacionet e reja kufitare dhe hapësirat e reja për Inspektoratin Policor.
Sipas Kurtit, rezultatet e punës së Policisë së Kosovës vërehen edhe në vlerësimet ndërkombëtare: “Kosova renditet ndër 14 vendet më të sigurta në botë sipas Gallup International, dhe e 8-ta në Indeksin e Rendit dhe Ligjit.”
Kryeministri përfundoi fjalimin me një urim për gjithë pjesëtarët e policisë:
“Lavdi dëshmorëve të saj! Rroftë Policia e Kosovës! Rroftë Republika e Kosovës!”