Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në fjalën e tij hyrëse, Kurti tha se gjatë 25 viteve të fundit Kosova ka kaluar nëpër një proces unik shtetndërtimi, të paparë ndokund tjetër pas një lufte të rëndë. Ai përmendi raportet e fundit të organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, SIGMA, Transparency International e të tjera, të cilat sipas tij, e paraqesin Kosovën si rast suksesi.
“Gjatë këtyre katër viteve, Qeveria ka ndërmarrë reforma të thella në të gjithë sektorët, në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, tha kryeministri.
Kurti solli në vëmendje edhe raportin e SIGMA/OECD, ku Kosova për vitin 2024 është renditur më mirë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor në të gjashtë fushat e matjes – për dallim nga viti 2021, kur ishte më poshtë mesatares në pesë fusha.
Megjithatë, kryeministri pranoi se procesi i shtetndërtimit ka pasur sfida, duke përmendur “stër-agjencifikimin”, pra krijimin e një numri të madh agjencish, shpesh të panevojshme dhe me status të pavarur pa arsye të qarta. Sipas tij, kjo ka sjellë mungesë llogaridhënieje dhe shmangie nga mekanizmat e kontrollit institucional.
“Është me rëndësi të hapim këtë debat për të gjetur baraspeshën midis pavarësisë, bashkëpunimit dhe llogaridhënies, në mënyrë që institucionet të funksionojnë më mirë dhe jeta e qytetarëve të përmirësohet”, theksoi Kurti.
Konferenca KosovaPAR2025 ka mbledhur përfaqësues të nivelit të lartë shtetëror, komunitetit diplomatik, akademikë, shoqëri civile dhe delegacione nga rajoni e më gjerë, përmes 14 paneleve dhe dy sesioneve kryesore.