Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit për vizitë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) në Londër, një prej qendrave më prestigjioze britanike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Vizita u zhvillua në bashkëpunim me King’s College London, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ku këtë vit nikoqire është Mbretëria e Bashkuar.
Gjatë ngjarjes, Kurti mbajti një fjalë hyrëse dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve – mes tyre deputetë britanikë, profesorë universitarë dhe përfaqësues të mediave ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se siguria, zhvillimi dhe migrimi do të jenë temat qendrore të Samitit të Berlinit, duke vlerësuar roli e Mbretërisë së Bashkuar si një partner i qëndrueshëm dhe mik i veçantë i Kosovës.
“Prania britanike në rajonin tonë është jo vetëm e mirëpritur, por edhe e nevojshme,” tha Kurti.
Ai foli edhe për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, duke theksuar se vendi ka arritur rezultate të dukshme në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për sundimin e ligjit, ndërsa në indeksin e Transparency International është përmirësuar me 31 vende.
Në katër vitet e fundit, rritja ekonomike mesatare ka qenë 6%, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara.
Kurti nënvizoi angazhimin e Kosovës si aleate dhe kontribuuese në NATO, duke theksuar investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Kemi katërfishuar shpenzimet për mbrojtje dhe kemi investuar në inovacion, arsim dhe partneritet. Duke forcuar veten, forcojmë Aleancën që i përkasim,” u shpreh ai.
Duke folur për sigurinë në Evropë, Kurti dënoi luftën ilegale të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, duke përmendur rastin e gazetares ukrainase Viktoriia Roshchyna, e cila humbi jetën pas torturave nga forcat ruse.
Ai kujtoi edhe përvojën e tij si i burgosur politik nga regjimi i Serbisë në vitet 1999–2001, duke theksuar ngjashmëritë e përvojave të dhunës dhe qëndresës midis popujve të Kosovës dhe Ukrainës.
“Solidariteti ynë me popullin ukrainas është i natyrshëm; ai buron nga përvoja jonë e qëndresës dhe mbijetesës,” deklaroi Kurti.

