Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me qytetarë dhe profesionistë në disa komuna të vendit, duke theksuar përkushtimin e VV-së për të vazhduar projektet zhvillimore në nivel lokal.
Në Gjilan, Kurti u takua me inxhinierë, arkitektë dhe afaristë lokalë në kafiteritë “BonAmia” dhe “Hani”, ku foli për rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve dhe komunitetit profesional në zhvillimin urban e ekonomik të qytetit. Ai theksoi dy projekte madhore që, sipas tij, do të transformojnë rajonin: digën e Firajës, e cila do të sigurojë ujë për qytetin, dhe hekurudhën që do të lidhë Gjilanin me Prizrenin, Ferizajn dhe Bujanocin.
“Këto janë projekte strategjike që do t’i realizojmë me Alban Hysenin kryetar, për të vazhduar zhvillimin që ka nisur në këtë mandat”, tha Kurti, duke u bërë thirrje qytetarëve ta votojnë numrin 105, Lëvizjen Vetëvendosje!.
Në Mitrovicë, Kurti nënvizoi rëndësinë e qasjes në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë, duke e cilësuar si “çështje drejtësie dhe sigurie” për banorët e tri Dumnicave dhe të Lagjes Cakaj në Stanoc të Epërm. Ndërkohë, në Prizren, ai përsëriti mbështetjen për kandidatët e Vetëvendosjes, përfshirë Faton Pecin, duke theksuar se partia është e përgatitur për të thelluar qeverisjen lokale si model zhvillimi dhe transparence.
Kurti u shpreh se me Vetëvendosjen në krye të komunave, qytetet dhe fshatrat e Kosovës “janë orientuar kah zhvillimi dhe drejtësia sociale” dhe se mandati i ardhshëm do të jetë periudha e realizimit të projekteve që i shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve.

