Mbrëmë në seancën e thirrur për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit, në sallë e pranishme ishte vetëm Vetëvendosja.
Opozita kishte vendosur që ta bojkotonte këtë seancë, duke mos e parë të arsyeshme pjesëmarrjen.
Pavarësisht mungesës së kuorumit, partia në pushtet procedoi me votim. Ky veprim nga shumë njohës të Kushtetutës u konsiderua si shkelje e rëndë e rendit kushtetues.
Pikërisht për numrat, më 2 mars të këtij viti, kryeministri Albin Kurti ishte deklaruar ndryshe lidhur me numrin e deputetëve të pranishëm në sallë.
Ai ishte shprehur se nëse në sallë nuk qëndrojnë 80 vetë, shkojmë automatikisht në zgjedhje, përcjell Klankosova.tv.
“Duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje”, kishte deklaruar Kurti.
Ndërkaq, dje gjatë seancës, shefi i qeverisë u shpreh se ka pasur gatishmërinë dhe interesin për të gjetur zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.
Ai përmendi edhe rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se duhet të respektohet dhe se kjo nuk është nënshtrim.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare”.
“Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale”, u shpreh Kurti

