Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka ngushëlluar familjet e tre personave që vdiqën tragjikisht në një aksidentin në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë me Maqedoninë e Veriut.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit për humbjen tragjike të më të dashurve të tyre”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
Ai shpërndau reagimin e ambasadorit të Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, i cili tha se Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar ndihmën e nevojshme gjatë trajtimit të rastit.
Tha se pas përfundimit të procedurave nga autoritetet përkatëse, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë.
“U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve të tyre. Në këto çaste të rënda ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe”, ka shkruar ambasadori.

