Stadiumi i Prizrenit “Përparim Thaçi” po hyn në fazën më të rëndësishme të zhvillimit të tij që nga ndërtimi. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi sot se është nënshkruar kontrata për investimin prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore tashmë kanë filluar.
Transformimi synon ta shndërrojë stadiumin në një nga arenat më moderne sportive në vend. Përveç tribunave ekzistuese në lindje dhe perëndim, objekti do të zgjerohet me tribuna të reja në veri dhe jug, duke e çuar kapacitetin në rreth 7,800 ulëse.
Kurti theksoi se ky investim do t’u shërbejë mijëra sportdashësve dhe tifozëve të KF Liria, duke krijuar kushte të reja për sportin elitar në Prizren.
“Po investojmë mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit gjithandej Republikës. Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon”, shkroi ai në Facebook.
Ky projekt është pjesë e investimeve të gjera infrastrukturore të Qeverisë në sport, të cilat synojnë zhvillimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garave dhe rritjen e standardeve për ndeshjet ndërkombëtare.

