Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Në këtë takim, i cili u mbajt në Prishtinë, Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Diskutimi u përqendrua në zhvillimet aktuale në vend, situatën e komuniteteve joshumicë – me theks të veçantë te komuniteti serb – dhe rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kryeministri Kurti informoi emisarin Sørensen mbi mbështetjen e vazhdueshme financiare që Qeveria e Kosovës ka ofruar ndër vite për komunat me shumicë serbe, sidomos ato në veri të vendit. Ai potencoi rezultatet konkrete të politikave qeveritare për punësim dhe zhvillim ekonomik: që nga prilli 2024, mbi 800 qytetarë të katër komunave veriore janë punësuar përmes programit “Qeveria për Familjet”, ndërsa janë regjistruar mbi 430 biznese të reja nga janari i vitit të kaluar.
Kurti gjithashtu vuri në pah përfshirjen e komunitetit serb në strukturat shtetërore të sigurisë, duke theksuar se që nga dorëheqjet kolektive të policëve serbë në nëntor 2022, rreth 200 policë të rinj nga komuniteti serb janë integruar në Policinë e Kosovës. Ai theksoi se në dy vitet e fundit nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe serbë në sektorin privat apo në institucionet publike – një tregues i qartë i integrimit të qëndrueshëm dhe bashkëjetesës.
Megjithatë, Kurti shprehu shqetësimin e tij për deklaratat kërcënuese të vazhdueshme nga krerët e Serbisë, si dhe për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës gjatë tranzitit përmes territorit serb. Ai kërkoi nga emisari Sørensen dhe komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë fuqishëm dhe ta dënojnë këtë sjellje të autoriteteve serbe.
Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të thelluar dialogun dhe për të riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj integrimit të të gjitha komuniteteve dhe respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.