Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim të përbashkët me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në këtë takim u diskutuan çështjet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, formimin e institucioneve të reja dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme. Po ashtu, palët biseduan për bashkëpunimin bilateral dhe avancimin e projekteve në fusha me interes të përbashkët.
Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, pa diskriminim apo privilegje, duke nënvizuar rëndësinë e barazisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Ai theksoi gjithashtu objektivat për rritje të qëndrueshme ekonomike, progres shoqëror dhe avancim demokratik.
Në fokus të veçantë ishte edhe paqja dhe siguria, përfshirë ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e kufijve, si dhe angazhimi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si synime strategjike të vendit.

