Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si histori suksesi performancën financiare të Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës, duke theksuar se të dyja ndërmarrjet publike po përmbyllin vitin 2025 me fitime, pas vitesh humbjesh të mëdha.
Sipas Kurtit, Telekomi i Kosovës po e mbyll vitin 2025 me rreth 10 milionë euro fitim, duke shënuar vitin e katërt radhazi me rezultat pozitiv financiar. Ai kujtoi se ndërmarrja kishte qenë dikur “në buzë të humnerës”, me humbje vjetore deri në 29.5 milionë euro, ndërsa sot është kthyer në kompani fitimprurëse nën pronësinë dhe menaxhimin e shtetit.
Kryeministri theksoi se Vala e Kosovës tashmë është lider në telefoninë mobile, me 551 BTS-a në gjithë vendin, përfshirë 15 në katër komunat veriore, si dhe mbulim të plotë me 4G+ dhe 5G. Ai shtoi se Telekomi po ecën drejt zgjerimit të rrjetit fiks dhe po ofron përmbajtje atraktive mediale. Po ashtu, Kurti njoftoi se gjatë verës së vitit të ardhshëm, përmes një bashkëpunimi mes RTK-së dhe Telekomit, në platformën TV Vala do të transmetohet Kampionati Botëror i Futbollit 2026.
Në një postim të veçantë, Kurti vlerësoi edhe rezultatet e Postës së Kosovës, e cila sipas tij, pas ndarjes nga Telekomi në vitin 2012 kishte operuar me humbje deri në 4 milionë euro në vit, ndërsa 2025 është viti i dytë radhazi që e përmbyll me fitim, rreth 1 milion euro.
Ai theksoi se Posta ka rreth 850 punonjës dhe 166 zyra në gjithë Kosovën, përfshirë 16 në veri të Ibrit, duke shtuar se ndërmarrja ka ndalur rrjedhjet financiare, ka rikthyer asetet në menaxhim dhe ka nisur investime pas më shumë se një dekade, përfshirë furgonë, vetura të reja, motobiçikleta elektrike dhe infrastrukturë kritike.
“Telekomi dhe Posta e Kosovës janë shembuj të qartë të ringjalljes së ndërmarrjeve publike”, tha Kurti, duke përgëzuar menaxhmentet, bordet dhe punonjësit për arritjet dhe shërbimin ndaj qytetarëve, si dhe duke uruar një vit edhe më të suksesshëm në vazhdim.

