Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për regjistrim të mërgimtarëve në listat zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Ai u kujtoi bashkatdhetarëve rëndësinë e votës së tyre, duke theksuar se angazhimi i diasporës në zgjedhjet e kaluara qendrore ka qenë vendimtar për fitoret e lëvizjes që ai drejton në 22 komuna të vendit.
“Me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat anembanë Kosovës shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes së mirë”, – tha Kurti.
Kryeministri nënvizoi se procesi i regjistrimit është i lehtë dhe i shpejtë, duke ftuar diasporën të mos e shtyjë për më vonë pasi afati përfundon më 29 gusht.
Ai theksoi se me votën e mërgimtarëve, komunat e Kosovës do të drejtohen nga njerëz të ndershëm e të përkushtuar ndaj qytetarëve, duke i larguar nga pushteti “klanet dhe ata që i trajtojnë komunat si pronë private”.
🔗 Linku për regjistrim: diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter