Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi, në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, të cilat më pas u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore në Kosovë.
Kurti vlerësoi kontributin dhe sakrificat e Hajrizi, duke theksuar se ai nuk përfaqëson vetëm një veprimtar politik, por vjen edhe nga një familje që ka përjetuar përndjekje nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Sipas kryeministrit, Hajrizi ka punuar për 15 vjet në arsim, duke edukuar breza të tërë nxënësish. Një nga momentet më të vështira në jetën e tij ishte arrestimi në sallën e mësimit para nxënësve, që përbënte arrestimin e dytë pas atij të vitit 1979.
Aktivizmi në lëvizjen ilegale
Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më të rëndësishme të lëvizjes ilegale shqiptare në atë periudhë. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa më pas për tetë vjet nga Mehmet Hajrizi.
Hajrizi, së bashku me veprimtarë të tjerë, ishte pjesë e themelimit të shtypit klandestin shqiptar, duke shërbyer edhe si kryeredaktor. Në këtë kuadër u botuan revista dhe materiale ilegale si “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria” dhe “Këngët e lirisë”, të cilat përhapën idetë e rezistencës dhe kërkesat për liri, drejtësi dhe republikë.
Dënimi dhe periudha e burgut
Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe më 10 korrik 1982 u dënua me 12 vjet burg të rëndë, së bashku me një grup veprimtarësh të tjerë.
Pas arrestimit të tij, drejtimin e organizatës e mori Kadri Zeka, i cili u vra një vit më vonë bashkë me Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla.
Mirënjohje për kontributin në lirinë e Kosovës
Kurti theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që kontribuuan ndër vite për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugën drejt lirisë dhe përpjekjeve për avancimin e të drejtave të popullit të Kosovës.

