Deputetja e Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj gjuhës ofenduese dhe kërcënuese që, sipas saj, është përdorur ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një reagimi publik, Kusari theksoi se në një shoqëri demokratike kritika ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është e drejtë dhe e domosdoshme, por përdorimi i fyerjeve dhe nxitja e urrejtjes nuk mund të arsyetohet.
Sipas saj, gjuha ofenduese dhe kërcënuese ndaj presidentes nuk ka vend në debatin publik.
“Fyerjet nuk janë argument; ato janë delikuencë dhe mbeten të papranueshme në çdo debat publik”, ka deklaruar Kusari.
Ajo shtoi se diskutimi publik duhet të bazohet në ide, argumente dhe respekt, duke theksuar se fyerjet, kërcënimet dhe mizogjenia nuk kontribuojnë në një debat demokratik.
Në reagimin e saj, Kusari u bëri thirrje qytetarëve, mediave dhe akterëve politikë që të kontribuojnë në ruajtjen e një kulture komunikimi që promovon dialog konstruktiv dhe respekt.
“Demokracia nuk mbrohet me fyerje, por me argumente”, përfundoi ajo.

