Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimin pasuror ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij, duke vënë në fokus burimet financiare që mbuluan shpenzimet e larta të lëvizjes së quajtur “Rithemelimi” – përfshirë Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 në stadiumin “Air Albania” dhe 27 takimet e njohura si “Foltore”.
Hetimi synon të zbardhë se si u financua një organizim i përmasave të paprecedenta, në një kohë kur Berisha nuk kishte kontroll mbi Partia Demokratike e Shqipërisë dhe fondet e saj. Sipas raportimeve, vetëm Kuvendi i 11 dhjetorit përfshinte shpenzime të konsiderueshme për qiranë e stadiumit, skenografi, ekrane gjigante, reklama televizive, materiale propagandistike, siguri dhe logjistikë – shuma që flitet të kenë shkuar në qindra milionë lekë.
Shoqëria që administron stadiumin “Air Albania” raportohet se ka përfituar rreth 1 milion lekë (mbi 10 mijë euro) për vënien në dispozicion të arenës. Po ashtu, u porositën struktura skenike nga Italia dhe u përdorën ekrane moderne, duke rritur ndjeshëm kostot.
Transparenca për financimet u kërkua publikisht edhe nga figura brenda PD-së në atë kohë. Gazment Bardhi deklaronte se shpenzimet duhej të bëheshin publike dhe të sqarohej se kush ishin financuesit. Megjithatë, sipas raportimeve, Berisha nuk dha shpjegime për origjinën e fondeve – as për Kuvendin, as për katër muajt e “Foltoreve”.
Në kuadër të hetimit, SPAK ka marrë në pyetje organizatorë kyç. Fillimisht u pyet Belind Këlliçi, kryetar i Komitetit Drejtues të Kuvendit të 11 dhjetorit, ndërsa më pas edhe Indrit Hoxha, një tjetër organizator i aktivitetit.
Hetimi po udhëhiqet nga prokurori i posaçëm Arben Kraja dhe lidhet me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë të pandehur për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK synon të sqarojë nëse shpenzimet e “Rithemelimit” janë mbuluar nga burime të ligjshme apo nëse pas tyre fshihen financime të paligjshme. Hetimet vijojnë.

