Gjykata Kushtetuese ka pezulluar unanimisht dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë, të planifikuara më 9 nëntor 2025. Vendimi vjen pas ankesës së ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi që dekreti i Presidentit të shpallej i paligjshëm dhe që procesi zgjedhor të pezullohej. Burime nga Gjykata bëjnë të ditur se vendimi është marrë me votë unanime nga e gjithë trupa gjykuese, ndërsa seanca publike për shqyrtimin e ligjshmërisë së shkarkimit të Veliajt nga detyra do të mbahet më 31 tetor 2025.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se pezullimi i dekretit të Presidentit është bërë në zbatim të nenit 115 të Kushtetutës, i cili i njeh kryetarëve të bashkive të drejtën e ankimit ndaj shkarkimit dhe parashikon efekte pezulluese deri në një vendim përfundimtar. “Pezullohen efektet juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës. Po ashtu, Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25 shtator 2025, për shkarkimin e Veliajt, duke e konsideruar atë të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Vendimi është botuar pasdite në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.
Përplasja ligjore nisi më 29 shtator, kur Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, duke kërkuar pezullimin e efektit juridik të aktit. Sipas Kushtetutës, në momentin kur një akt i tillë ankimohet, ai pezullohet automatikisht, duke e bërë të pamundur caktimin e zgjedhjeve të reja. Megjithatë, më 1 tetor 2025, Presidenti Begaj nxori dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë dhe në pesë bashki të tjera të vendit, duke hapur një debat të ri politik dhe juridik. Avokatët e Veliajt reaguan menjëherë, duke e cilësuar dekretin si antikushtetues dhe duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Kushtetueses.
Pas vendimit, Presidenti Bajram Begaj reagoi publikisht, duke deklaruar se do të respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Institucioni i Presidentit është garant i Kushtetutës dhe vendimeve të saj. Respektojmë plotësisht vendimin e sotëm të Gjykatës”, tha Begaj. Nga ana tjetër, Partia Socialiste reagoi duke theksuar se zgjedhjet nuk janë anuluar, por vetëm pezulluar, dhe se përgatitjet për procesin elektoral do të vazhdojnë. “Vendimi i Kushtetueses është i përkohshëm dhe nuk ndikon në organizimin e zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e PS-së.
Ndërkohë, opozita ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gazment Bardhi e quajti dekretin e Presidentit për zgjedhjet në Tiranë “shkeljen më të rëndë të Kushtetutës që ka kryer ndonjëherë një president”, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se “gjyqtarët e Kushtetueses mbrojtën Kushtetutën nga horrat e shtetit”.
Tashmë, më 31 tetor pritet të zhvillohet seanca publike ku Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në themel ligjshmërinë e shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra. Nëse vendimi i qeverisë shpallet antikushtetues, Veliaj pritet të rikthehet në detyrë, ndërsa dekreti i Presidentit për zgjedhje në Tiranë do të humbasë efektin juridik përfundimisht.