Deputetja Doarsa Kica Xhelili ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti, duke akuzuar këtë të fundit për shkelje të përsëritur të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në një postim të fundit, Kica Xhelili thekson se Kushtetuta shpall Kosovën si shtet të pavarur dhe se ajo nuk do ta shkelte për asnjë qytetar, qoftë serb apo shqiptar. “Jo vetëm që nuk do ta shkelja për një serb të zgjedhur të Kurtit, por nuk do ta shkelja as për shqiptarin më të ndershëm mbi këtë vend”, shkruan ajo.
Deputetja kritikoi qeverinë për shkelje të përsëritura të Kushtetutës gjatë mandatit, duke përmendur më shumë se dhjetë raste gjatë qeverisjes dhe mbi 50 raste lidhur me insistimin për komisione të fshehta. Ajo akuzon gjithashtu Vetëvendosjen për planin e fundit për të votuar qeverinë pa konstituim të plotë të Kuvendit, një veprim që sipas saj “dobëson vetëm Republikën e Kosovës dhe jo Serbinë”.
“Gënjeshtrat e llojit ‘për ta hequr Listën Serbe nga kryesia’ nuk duhet të na mashtrojnë. E vetmja forcë që dobëson ata është respektimi i shtetit që ata nuk e njohin dhe zhbllokimi i gjithë Republikës për një pozitë pa ndonjë funksion madhor”, shkruan Kica Xhelili.
Ajo shprehet e shqetësuar se qeveria e propozuar mund të votohet në mënyrë të paligjshme dhe se kjo ngrit pyetje mbi përkatësinë dhe legjitimitetin e qeverisë së ardhshme: “Ta shohim qeverinë e cilit shtet po e votojnë dhe me cilën Kushtetutë, meqë e Republikës së Kosovës nuk po u pëlqen”, përfundon deputetja.