Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, pasi edhe në përpjekjen e 21-të nuk është arritur të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit. Seanca e sotme, e udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, u ndërpre pa rezultat, me arsyetimin se nuk kishte kushte për votim.
Dehari, njëherësh drejtues i përkohshëm i seancës, përsëriti kërkesën që zgjedhja e kryetarit të bëhet përmes votimit të fshehtë – procedurë e cila ka qenë vazhdimisht burim mosmarrëveshjesh mes subjekteve parlamentare.
Procesi konstituiv i Kuvendit ka nisur që më 15 prill, por është bllokuar te pika e zgjedhjes së kryeparlamentarit, pasi LVV-ja nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kandidaten e saj, Albulena Haxhiu.
Pas ndërprerjes së seancës, Dehari njoftoi se ajo do të vazhdojë më 27 maj, duke lënë të paqartë nëse do të ketë ndonjë marrëveshje politike deri atëherë.
Kjo situatë e pazakontë po zgjat vakumin institucional në vend dhe ka ngritur shqetësime për krizë të mundshme politike, në mungesë të një zgjidhjeje konsensuale ndërmjet partive parlamentare.