Sot pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila është planifikuar të nisë në orën 11:00. Ky është vazhdimi i 56-të i seancës, që ende nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e Kuvendit.
Në seancën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy emra për këtë post – fillimisht Albulena Haxhiun, e më pas Donika Gërvallën. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave.
Ndërkohë, ngërçi politik në vend po shihet si i pashmangshëm. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një analizë të publikuar në Facebook, vlerësoi se raporti i forcave politike në Kuvend është i ndarë 60 me 60, duke theksuar se mungon vullneti për formimin e qeverisë.
“Është e qartë që, në variantin më optimist, raporti i forcave është 60 me 60. Asnjëra palë nuk ka dëshirë të formojë qeverinë, sepse të gjithë e dinë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Moszgjedhja e Presidentit do ta çojë automatikisht vendin në zgjedhje. Askush nuk dëshiron të qeverisë vetëm për disa muaj”, ka shkruar Kryeziu.
Përgjegjësinë për bllokadën, ai ia atribuon të dyja palëve: në njërën anë Vetëvendosjes dhe në anën tjetër PDK-së, LDK-së e AAK-së.