Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të re, në përpjekje për të konstituuar përfundimisht legjislaturën e re, proces që prej ditësh është bllokuar nga moszgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Deri më tani, janë zgjedhur kryetari i Kuvendit, nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe ai që përfaqëson komunitetet pakicë joserbe. Mirëpo, vendi i nënkryetarit nga komuniteti serb ka mbetur bosh, duke krijuar pengesë në përmbylljen e procesit të konstituimit.
Në seancën e kaluar, kandidati Nenad Rashiq nuk arriti të marrë votat e nevojshme. Nga gjithsej 76 deputetë që morën pjesë në votim, 55 votuan pro, 1 kundër dhe 20 abstenuan, duke bërë që kandidatura e tij të mos sigurojë shumicën e nevojshme.
Sot, procesi i konstituimit pritet të vazhdojë me hedhjen e shortit për përzgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Seanca do të nisë në orën 11:00, ndërsa pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar plotësisht.