Sot, në orën 11:00, pritet të mbahet vazhdimi i 20-të me radhë i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ndërsa vendi vijon të mbetet pa udhëheqje parlamentare më shumë se tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Procesi i konstituimit të Kuvendit po zvarritet për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri tani nuk ka arritur të kalojë as propozimi për formimin e komisionit që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për këtë post. Por kjo propozim po has në kundërshtim të fortë nga subjektet opozitare – PDK, LDK dhe AAK – të cilat kanë deklaruar hapur se nuk do të votojnë Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Në anën tjetër, Vetëvendosje ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërheqë kandidaturën e saj, duke thelluar kështu bllokadën institucionale.
Me vendin që përballet me ngërç parlamentar, sytë janë tashmë të kthyer nga zhvillimet e sotme në Kuvend, ndërsa qytetarët presin me shqetësim një zgjidhje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve të reja.