Fakulteti Juridik i Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar një arritje të rëndësishme institucionale, duke siguruar për herë të parë akreditim pesëvjeçar për programin “Juridik i Përgjithshëm” LLB (240 ECTS), si dhe akreditimin e programit master “E Drejta dhe Siguria” LLM (120 ECTS), një program që vlerësohet si unik në Kosovë dhe rajon.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i madh në avancimin e arsimit juridik dhe ndërdisiplinar, pasi programi master kombinon fushat e drejtësisë dhe sigurisë, duke synuar përgatitjen e profesionistëve të kualifikuar për sfidat moderne të sistemit juridik dhe atij të sigurisë publike.
Sipas njoftimit të fakultetit, ky sukses është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë institucional dhe angazhimi të vazhdueshëm të stafit akademik dhe menaxhmentit. Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur dekani, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, si dhe strukturat drejtuese të universitetit.
Kontribut të veçantë kanë dhënë edhe stafi akademik, bartësit e programeve studimore, prodekanët, si dhe studentët përmes Këshillit dhe Parlamentit Studentor, të cilët kanë qenë pjesë aktive e procesit të vlerësimit dhe zhvillimit të programeve.
Në këtë arritje kanë ndikuar edhe bashkëpunimet me institucione të rëndësishme si Prokuroria e Shtetit, gjykatat, Policia e Kosovës, avokatët, noterët dhe përmbaruesit privatë, si dhe mbështetja e vazhdueshme nga Zyra për Sigurimin e Cilësisë.
Fakulteti ka shprehur mirënjohje të veçantë për Agjencia e Akreditimit e Kosovës, e cila ka realizuar procesin e vlerësimit sipas standardeve profesionale dhe të paanshme.
Ky akreditim konfirmon rritjen e cilësisë akademike dhe pozicionon Fakultetin Juridik të UHZ-së si një nga institucionet më të besueshme për përgatitjen e juristëve dhe profesionistëve të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, duke reflektuar një vizion të qartë për zhvillim të qëndrueshëm në arsimin e lartë.

