Shumë punonjës dhe pensionistë që jetojnë dhe punojnë në Austri mund të përfitojnë këtë vit një rimbursim të konsiderueshëm financiar nga shteti, që në disa raste arrin deri në rreth 1,400 euro.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin SV-bonus, një formë kthimi të kontributeve të sigurimeve shoqërore që u dedikohet personave me të ardhura të ulëta që paguajnë pak ose pothuajse aspak tatim mbi të ardhurat.
Për vitin tatimor 2025, punonjësit që plotësojnë kushtet mund të marrin deri në 1,398 euro, ndërsa pensionistët mund të përfitojnë deri në 710 euro. Mesatarisht, shumica e përfituesve marrin rreth 1,000 euro rimbursim.
Si të aplikoni
Nga marsi 2026, qytetarët që kanë të drejtë mund të aplikojnë për zgjidhjen tatimore për punonjësit (Lohnsteuerausgleich). Nëse kërkesa nuk paraqitet personalisht, administrata tatimore në Austri do të bëjë llogaritjen automatike nga 1 korriku 2026.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë që aplikimi të bëhet personalisht, pasi në shumë raste kjo mund të sjellë një rimbursim më të lartë.
Përfitime shtesë për familjet
Për familjet me të ardhura të ulëta është rritur edhe pagesa për fëmijë Kindermehrbetrag, e cila tani arrin 700 euro për fëmijë, nga 550 euro sa ishte më parë. Kjo vlen për prindërit që kanë pasur të ardhura të tatueshme të paktën 30 ditë gjatë vitit.
Rimbursime edhe për vitet e kaluara
Një tjetër mundësi e rëndësishme është se rimbursimet mund të kërkohen edhe retroaktivisht për vitet 2021–2024. Afati i fundit për kërkesat që lidhen me vitin 2021 është 31 dhjetor 2026.
Për vitin tatimor 2026, autoritetet austriake kanë paralajmëruar se rimbursimet mund të rriten edhe më shumë, duke arritur deri në 1,554 euro, si pjesë e përshtatjes me inflacionin.
Kjo skemë pritet të ndihmojë mijëra punëtorë dhe pensionistë, përfshirë edhe shumë bashkatdhetarë shqiptarë që jetojnë në Austri, duke u kthyer një pjesë të kontributeve që kanë paguar gjatë vitit.

