Nga 12 tetori, në të gjitha aeroportet evropiane hyn në fuqi sistemi i ri “Entry/Exit System” (EES), që zëvendëson vulat tradicionale në pasaportë me kontroll digjital biometrik. Pas tre vitesh shtyrjesh teknike dhe debatet mbi privatësinë, projekti më në fund po bëhet realitet.
Çfarë është sistemi EES dhe si funksionon
Sistemi i ri i Bashkimit Evropian synon të monitorojë hyrjet dhe daljet e qytetarëve të vendeve të treta – pra, atyre që nuk janë pjesë e BE-së, por që nuk kanë nevojë për vizë për qëndrime afatshkurtra. Në këtë kategori përfshihen udhëtarë nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Izraeli, Japonia, Brazili dhe shumë vende të tjera.
Sistemi do të zëvendësojë vulat manuale me një kontroll digjital përmes kamerave dhe softuerëve të avancuar që regjistrojnë:
-
gjurmët e gishtërinjve,
-
skanimin e fytyrës dhe të irisit,
-
si dhe të dhënat e hyrjes dhe daljes nga zona Shengen.
Qëllimi është të shkurtohen radhët në pikat kufitare dhe të rritet siguria përmes ndjekjes më të saktë të flukseve të migracionit drejt Evropës.
Regjistrimi paraprak dhe procesi në terminalet automatike
Udhëtarët që hyjnë për herë të parë në BE do të duhet të regjistrohen paraprakisht në terminalet automatike të vendosura në aeroporte dhe pika kufitare.
Procesi është i shpejtë: pasaporta skanohet, regjistrohen gjurmët e gishtërinjve dhe bëhet një fotografi e fytyrës.
Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga dhënia e gjurmëve të gishtave.
Gjatë regjistrimit, udhëtarët duhet gjithashtu të përgjigjen në katër pyetje të detyrueshme, përfshirë adresën e qëndrimit dhe burimet financiare për mbulimin e shpenzimeve gjatë qëndrimit në zonën Shengen.
Sa kohë ruhen të dhënat
Të dhënat e hyrjeve dhe daljeve do të ruhen për tre vjet, ndërsa dosjet individuale me të dhënat personale do të mbahen një ditë më shumë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, informacioni fshihet automatikisht, dhe do të jetë e nevojshme një regjistrim i ri në hyrjen e radhës.
Qëllimi dhe kostot e projektit
BE-ja e ka zhvilluar këtë sistem për të forcuar menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe për të përmirësuar sigurinë ndaj migracionit të paligjshëm.
Për zhvillimin e EES-it, Komisioni Evropian ka ndarë 142 milionë euro, ndërsa tenderin e kanë fituar IBM (SHBA), Leonardo (Itali) dhe Atos (Francë).
Sistemi do të jetë plotësisht funksional deri në prill 2026, duke shënuar fundin e epokës së vulave fizike në pasaportë dhe fillimin e kontrollit inteligjent të kufijve në Evropë.