Agim Pllashniku, qytetari që së fundmi doli publikisht për të denoncuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, lidhur me ndarjen e 252 mijë eurove për të afërm të saj, është larguar nga puna në mënyrë të menjëhershme.
Pllashniku ishte i punësuar në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, institucion që drejtohet nga Faruk Mujku, gjithashtu anëtar i Vetëvendosjes. Sipas dokumentit të vendimit, të siguruar nga portali Insajderi, shkëputja e kontratës është bërë pa asnjë paralajmërim, menjëherë pas denoncimit të Pacollit në Prokurori.
Avokati i tij, Gent Gjini, e ka cilësuar vendimin si një “skandal të paprecedent”, duke e krahasuar situatën me sistemet autoritare. “I ndërpritet marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut, pikërisht pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Fitore Pacollit dhe pas skandaleve ku ajo është përfshirë. Si është e mundur, dhe pse pikërisht tani? Pa paralajmërim, pa vërejtje, pa asnjë bazë ligjore,” ka shkruar avokati Gjini në reagimin e tij.
Ai ka paralajmëruar kallëzim të ri penal ndaj drejtuesve të ndërmarrjes për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas tij, ky rast tregon për degradim të vlerave demokratike dhe mungesë të lirive qytetare, ku “fjala e lirë nuk gjen më vend në këtë vend.”
Vendimi për ndërprerjen e kontratës mban firmën e drejtorit Faruk Mujku dhe është bërë publik nga vetë avokati.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe pritet të jetë një nga temat më të debatueshme të ditëve në vijim.