Shefja e re e misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, Laura Dogu, ka mbërritur të premten në Karakas, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rifillimit të marrëdhënieve mes Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela.
Sipas burimeve diplomatike për AFP, aeroplani me Dogun u ul rreth orës 15:00 sipas kohës lokale. Emërimi i saj më 22 janar nga presidenti amerikan Donald Trump vjen më pak se një muaj pas arrestimit të Nicolás Maduro nga ushtria amerikane dhe konsiderohet si pikë kthese në raportet dypalëshe, të ngrira që nga viti 2019.
Trump ka deklaruar se ka një “marrëdhënie të mirë pune” me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, e cila ka ofruar garanci bashkëpunimi për Uashingtonin. Mes hapave të paralajmëruar nga Karakasi janë një amnisti e përgjithshme, reforma në ligjin e naftës dhe në sistemin gjyqësor, si dhe mbyllja e burgut famëkeq El Helicoide, i cilësuar nga opozita dhe organizatat e të drejtave të njeriut si qendër torture.
Mbërritja e Dogut shihet si sinjal i një “ere të re” në marrëdhëniet SHBA–Venezuelë, në një moment kur të dyja palët po testojnë terrenin për normalizim gradual politik dhe ekonomik.

