Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e tretë që ka shpenzuar më së shumti para gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot raportet e paaudituara të deklarimit financiar të partive politike.
Në raportin e publikuar nga KQZ-ja, del se LDK-ja ka shfrytëzuar gjithsej 358 mijë euro për fushatën zgjedhore. Prej tyre, 334 mijë vetëm për reklama.
Shpenzimet më të mëdha LDK-ja i ka bërë në reklama reprezanticion dhe konferenca. 334 mijë e 370 euro u shfrytëzuan për këtë pikë.
Përpos reklamave, LDK-ja ka shpenzuar para edhe për pagesën e gjobave të vendosura nga PZAP-ja.
Në total, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 22 mijë e 500 euro për pagesat e gjobave.
Lider i shpenzimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit është Lëvizja Vetëvendosje. VV-ja ka shpenzuar mbi 1 milion e 700 mijë euro, ndërsa në vendin e dytë ndodhet PDK-ja me pak më shumë se 930 mijë euro të shpenzuara.
LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet parlamentare. Partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku përfaqësohet nga 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës.