Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë zyrtarisht në fazën e mobilizimit për fushatën zgjedhore. Kryetari Lumir Abdixhiku njoftoi se mbrëmë, në selinë qendrore të LDK-së, është mbajtur një takim pune me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave që drejtohen nga kjo parti — një takim që ai e përshkroi si të mbushur me energji, përkushtim dhe gatishmëri të plotë.
“Gati për fushatë! Gati për mobilizim e angazhim nacional,” shkroi Abdixhiku, duke theksuar se LDK do të jetë pranë qytetarëve në çdo qytet, fshat e lagje, për të përcjellë mesazhin se “Kosova meriton qeverisje të drejtë, institucione që funksionojnë dhe politikë të matur që i shërben qytetarit”.
Sipas tij, strukturat e partisë janë të lidhura, të koordinuara dhe të vendosura ta çojnë fushatën deri në fund me dinjitet, punë dhe rezultat.
“Ndjenja dhe gadishmëria mes strukturave tona është ajo që duhet; e fortë, e sinqertë dhe plot motivim. Secili e di peshën e këtij momenti. Kosova ka nevojë për normalitet, stabilitet, zhvillim — dhe mbi të gjitha, për shpresë.”
Abdixhiku përsëriti se LDK e nis këtë betejë si ekip, e vazhdon si ekip dhe synon ta përmbyllë po ashtu si ekip.
Lajmi vjen në kohën kur partitë politike kanë hyrë në përgatitjet finale për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa LDK garon me moton “Zgjedh Shpresën” dhe listën e saj të kandidatëve me numrin 123.

