Pas një takimi që zgjati rreth katër orë, ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Pas mbledhjes, nënkryetari i partisë, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se në Kryesi është zhvilluar një diskutim i hapur dhe demokratik, ku janë trajtuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe analizën e rezultatit të zgjedhjeve të fundit.
Mustafa njoftoi se, me kërkesë të kryetarit të LDK-së, më 31 janar do të thirret Kuvendi i LDK-së, në të cilin kryetari pritet të ofrojë dorëheqjen e tij.
“Pati një diskutim të hapur dhe demokratik për çdo pikë të mundshme, duke filluar nga analiza e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe duke kulmuar me kërkesën e kryetarit që të thirret Kuvendi i LDK-së më 31 janar, ku ai do të ofrojë dorëheqjen e tij,” deklaroi Mustafa.
Ky zhvillim shënon një moment kyç për LDK-në, e cila pritet të hyjë në një fazë të re politike pas vendimit të Kuvendit. Loja e brendshme sapo ka hyrë në kapitullin vendimtar.

