Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK-ja ka nënshkruar sot marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë (PD) dhe Aleancën Kosova e Re (AKR), duke zgjeruar kështu frontin e saj politik për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas Abdixhikut, PD do të garojë me dy kandidatë në listën e LDK-së, ndërsa AKR me tre. Ai e quajti këtë bashkim “të natyrshëm”, duke theksuar se të tre subjektet ndajnë vlera dhe orientim të përbashkët për një Kosovë të zhvilluar dhe të ankoruar thellë në aleancat euroatlantike.
Në postimin e tij në Facebook, kreu i LDK-së tha se kjo aleancë synon rikthimin e institucioneve funksionale, transparencë, qeverisje të mirë dhe përshpejtimin e rrugës drejt BE-së, NATO-s, OKB-së dhe forcimin e partneritetit të përhershëm me SHBA-të.
“LDK po ndërton një front të përgjegjësisë. Një shumicë të re që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin dhe e kthen shpresën”, shkroi Abdixhiku, duke i cilësuar bashkëpunimet me PD-në dhe AKR-në si pjesë të strategjisë për të siguruar një fitore të qëndrueshme më 28 dhjetor.
Ai e mbylli reagimin e tij me mesazhin se LDK-ja po bashkohet, po forcohet dhe po ndërton fitoren – sepse, siç theksoi, “Kosova ka nevojë për përgjegjësi dhe për shpresë.”

