Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zhvilloi sot në Istog një punëtori të përgatitjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në aktivitet morën pjesë kandidatët për kryetarë komunash, kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë Qendrore, deputetët e Kuvendit dhe ekipi qendror i partisë.
Gjatë punëtorisë u diskutuan temat kyçe të organizimit, strategjisë dhe mesazhit të fushatës, me theks të veçantë në programin për nevojat specifike të komunave në të gjithë Kosovën. U analizua gjendja aktuale në çdo komunë dhe u hartua një plan i detajuar veprimi për muajt e ardhshëm deri në ditën e zgjedhjeve.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi rëndësinë e këtij momenti si një mundësi për qytetarët që të vendosin për të ardhmen e komunave në katër vitet e ardhshme. Ai përmendi prioritetet kryesore të partisë, që përfshijnë ndërtimin e infrastrukturës, investimet në arsim dhe shëndetësi, gjelbërimin e hapësirave publike, mbështetjen për bizneset dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.
“Fushata jonë nuk është për ne, por për qytetarët – për prindërit që kërkojnë arsim më të mirë, për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu, për bizneset që kërkojnë mundësi e jo pengesa dhe për çdo qytetar që meriton shërbim të drejtë dhe transparent,” u shpreh Abdixhiku.
Ai siguroi se gjatë fushatës kandidatët e LDK-së do të takohen me qytetarët derë më derë, duke dëgjuar shqetësimet dhe duke prezantuar vizionin e tyre për zhvillimin lokal.
“12 tetori nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh, por një moment për të zgjedhur zhvillimin mbi propagandën, punën mbi fjalët boshe dhe shpresën mbi zhgënjimin,” përfundoi Abdixhiku, duke ftuar për një garë të drejtë dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës.
LDK hyn në këtë garë e bashkuar dhe e përgatitur për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të drejtuar zhvillimin e çdo komune në Kosovë.