Lëvizja Vetëvendosje! ka zhvilluar sot mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku me unanimitet dhe duartrokitje të fuqishme u miratua rikandidimi i kryetarit të saj dhe kryeministrit aktual, Albin Kurti, për mandatin e ardhshëm qeverisës.
Mbledhjen e hapi nënkryetari i parë i LVV-së, Glauk Konjufca, i cili theksoi se Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe dhe se Kuvendi i Kosovës do të prodhojë Qeverinë e re. “Krizat politike nuk bien nga qielli, ato krijohen nga sjellje specifike. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe. Sot propozoj Albin Kurtin për Kryeministër”, u shpreh Konjufca.
Në fjalën e tij, Albin Kurti falënderoi delegatët për mbështetjen dhe besimin, duke deklaruar se mandati i ri është një mundësi për një “republikë të rinuar”, që do të bazohet në idealet përparimtare dhe synimet euroatlantike të vendit. Ai prezantoi programin e ardhshëm qeverisës, ku në fokus janë:
-
forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit;
-
rritja ekonomike përmes prodhimit, inovacionit dhe eksportit;
-
avancimi i arsimit dhe shëndetësisë;
-
fuqizimi i ushtrisë dhe sigurisë kombëtare;
-
projekte të mëdha infrastrukturore dhe sociale;
-
mbështetja për familjen, gratë dhe të rinjtë;
-
përshpejtimi i integrimeve evropiane dhe euroatlantike, me synim anëtarësimin në BE deri më 2030.
Kurti ritheksoi se Kosova është republikë demokratike me shoqëri multi-etnike, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe qeverisja ka për qëllim mirëqenien e secilit. Ai kritikoi vonesat e Gjykatës Kushtetuese dhe opozitën, e cila sipas tij, në vend se të jetë konstruktive, ka zgjedhur mekanizma bllokues duke mos respektuar verdiktin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Delegatët e Këshillit të Përgjithshëm votuan njëzëri për kandidaturën e Kurtit, duke dhënë mesazhin se LVV është e gatshme për mandatin e ri qeverisës, të cilin e sheh si mandat të progresit, barazisë dhe përparimit.