Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se së bashku me familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe bashkëpunëtorë, ka shënuar Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” në Kleçkën legjendare.
Limaj ka theksuar se kjo datë është një moment i veçantë kujtese dhe nderimi, duke u shndërruar në vendtakim të të gjallëve me shokët që kanë rënë dhe familjarët e tyre, për të kujtuar veprën, krenarinë dhe sakrificën e ushtarëve të kësaj brigade.
Sipas tij, 25 gushti përmbledh gjithë trimërinë, sakrificën, lavdinë dhe dhimbjen që kanë përjetuar malet e Berishës gjatë luftës së UÇK-së.
“Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 Ismet Jashari – Kumanova dhe gjithë dëshmorëve të kombit!”, përfundoi Limaj mesazhin e tij.