Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë në plotni aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi se vendimet e partisë do të bazohen në përmbajtjen e plotë të aktgjykimit, i cili pritet të bëhet publik në ditët në vijim.
Në një intervistë për emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Limaj tha se ende nuk mund të jepen komente të detajuara pa u parë aktgjykimi në tërësi.
“Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo që mund të them tani është se, si gjithmonë, ne i ndjekim dhe i respektojmë aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi Limaj.
Ndër të tjera, kreu i Nismës Socialdemokrate komentoi edhe emërimin e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, duke thënë se ai nuk e njeh si të tillë. Sipas Limajt, Basha duhet të japë dorëheqje për shkak të punimit të tij shkencor, në të cilin – sipas tij – janë bërë deklarata fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk ka ofendim më të madh për Kosovën sesa ai të flasë në emër të Kosovës apo të ulet dhe ta drejtojë Kuvendin e saj, një njeri që me qëndrimet e tij është rreshtuar përkrah atyre që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës,” tha Limaj.
Ai shtoi se qëndrimet e Bashës janë “të barabarta me ato të Dick Martyt dhe ‘Librit të Bardhë’ të Serbisë”, duke theksuar se “më e pakta që mund të bëjë është të japë dorëheqje”.
“E ka fyer shtetin, kombin, diasporën dhe popullin e vet, duke e portretizuar si kartele droge,” përfundoi Limaj.