Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar vonesat në procesin politik pas takimit të zhvilluar të premten në Presidencë, duke deklaruar se Presidentja Vjosa Osmani duhej ta shpërndante menjëherë Kuvendin e Kosovës dhe të shpallte zgjedhjet e reja.
Në një intervistë për emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Limaj tha se ishte e qartë që nuk ekziston shumicë parlamentare, prandaj sipas tij, zvarritjet vetëm thellojnë krizën institucionale.
“Unë kam pritur që presidentja menjëherë dje ta përfundojë këtë çështje, ta nxjerrë dekretin për shpërndarje të parlamentit dhe të nesërmen t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për faktin se s’ka asnjë gjasë të krijohet një shumicë parlamentare,” u shpreh Limaj.
Sipas tij, arsyeja pse ky vendim nuk u mor të premten lidhet me kërkesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për pak më shumë kohë.
“Kryetari i partisë më të madhe kërkoi dy deri në tre ditë kohë,” shtoi Limaj.
Ndërkohë, Presidentja Osmani ka njoftuar se do të vazhdojë konsultimet me liderët partiakë deri më 5 nëntor, datë që përkon me përfundimin e afatit kushtetues për caktimin e mandatarit të ri ose për shpërndarjen e Kuvendit.
Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshje për formimin e qeverisë, pritet që presidentja të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat sipas burimeve politike mund të mbahen në fillim të dhjetorit.

