Një nga filmat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, “Liri a vdekje”, është restauruar me standarde bashkëkohore dhe do të rikthehet në ekranin e madh pas më shumë se katër dekadash. Projekti është realizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) me mbështetjen e programit evropian “Sezoni i Filmave Klasikë”, nën kujdesin e Association des Cinémathèques Européennes (ACE).
Filmi, i cili mban firmën e dy regjisorëve të njohur shqiptarë Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, u prodhua në vitin 1979 dhe është konsideruar një nga veprat kulmore të kinemasë patriotike shqiptare. Premiera e restauruar e tij do të shfaqet në kuadër të Tirana International Film Festival, i cili mbahet nga 21 deri më 27 shtator 2025.
Restaurimi i “Liri a vdekje” është kryer në laboratorin e njohur Augustus Color në Romë, pas skanimit 4K të materialeve filmike në studion e AQSHF-së. Pamjet krahasuese të ofruara nga arkivi dëshmojnë për një transformim të dukshëm, me përmirësim të cilësisë së figurës dhe zërit, duke shpëtuar nga dekolorimi negativi origjinal.
Një film që sjell rezistencën kombëtare në ekran
Subjekti i filmit është i bazuar në historinë e komitëve shqiptarë, të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti, të cilët rikthehen në vendlindjet e tyre për të luftuar pushtimin osman. Pas ekzekutimit të bimbashit turk në Gjirokastër, ushtria osmane fillon një ofensivë të dhunshme kundër krahinës së Mashkullorës, e cila kthehet në një simbol të rezistencës për pavarësi. Në këtë betejë humb jetën edhe mësuesi Hysen, që fshehurazi mësonte fëmijët shqip.
Filmi, përveç vlerave artistike, risjell në kujtesë emrat e personaliteteve të shquara që kanë kontribuar në çlirimin e trojeve shqiptare dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar, si: Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, Muço Qulli, Hajredin Temenishti, Zeman Mashkullori, ndër të tjerë.
Një hero kombëtar në fokus
Përmes rrëfimit historik, “Liri a vdekje” nderon edhe figurën e Çerçiz Topullit, i cili pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, punoi për hapjen e shkollave shqipe dhe për organizimin e shoqërive patriotike. Pas Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai iu bashkua qeverisë së Ismail Qemalit. I arrestuar nga forcat malazeze në vitin 1915, ai u pushkatua në fushën e Shtojit, në Shkodër, bashkë me shokun e tij Mustafa Qulli.
Momenti i fundit i Topullit është përshkruar si një betejë heroike: i lidhur me zinxhirë, ai nuk hoqi dorë nga rezistenca edhe në çastin e vdekjes, duke u bërë një nga dëshmorët e parë të Shqipërisë së re.
Kinematografia që ruan historinë
Falë përpjekjeve të vazhdueshme për digjitalizimin dhe restaurimin e trashëgimisë filmike, AQSHF po rikthen në jetë vepra të rëndësishme artistike që ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive kombëtare. Restaurimi i “Liri a vdekje” është një tjetër sukses në këtë drejtim dhe një mundësi e artë për gjeneratat e reja që të njihen me historinë përmes artit.
Tirana International Film Festival 2025 pritet ta mirëpresë me entuziazëm këtë rikthim simbolik, që sjell bashkë trashëgiminë kulturore dhe identitetin historik të Shqipërisë në një ekran bashkëkohor.