Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Vizita u zhvillua në ambientet e komunës, ku Lladrovci së bashku me bashkëpunëtorët e tij i shprehën mirënjohje ambasadorit për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar.
“Qeverisja e mirë, transparente dhe llogaridhënëse e bëjnë komunën e Drenasit kampione në garën e performancës komunale në nivel nacional. Çelësi i suksesit është disiplina,” tha Lladrovci gjatë fjalës së tij.
Ambasadori Hargreaves falënderoi për mikpritjen dhe u njoh nga afër me projektet e komunës në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe barazi gjinore, si dhe me sfidat aktuale që lidhen me furnizimin me ujë, mbrojtjen e ambientit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Lladrovci vlerësoi lartë ndihmën e Britanisë së Madhe ndër vite, duke përmendur veçanërisht kontributin në transformimin e UÇK-së në TMK dhe më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në fund të takimit, kryetari i dhuroi ambasadorit librin e Bedri Islamit “Përjetësia e dyfishtë”, kushtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcit, si dhe një medaljon të punuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.