Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke paralajmëruar se mungesa e unitetit po dëmton seriozisht partinë dhe perspektivën politike në vend.
Në një postim të publikuar sot, Lladrovci tha se, pavarësisht deklarimeve të tij të qarta, “mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet”, duke kritikuar eksponentët që, sipas tij, po e paraqesin disfatën si fitore.
“Nuk ka fitore pa unitet”
Lladrovci theksoi se PDK-ja duhet të reflektojë urgjentisht:
“Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën.”
Ai u shpreh se situata në parti kërkon “ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik”, duke kërkuar gjuhë dhe veprim të fitimtarëve — “pa kushte dhe pa hile”.
Kritika të drejtpërdrejta për strukturat
Duke iu referuar zhvillimeve në Drenas, Lladrovci tha se mësimi nuk është nxjerrë ende:
“Reflektimet nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën, nuk e fuqizojnë partinë.”
Paralajmërimi i fortë
Në fund, ai kërkoi largimin e “shkurtpamësisë politike”, duke kujtuar rrënjët e partisë:
“Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shtetformuese dhe shtetndërtuese.”
Reagimi i Lladrovcit vjen vetëm pak ditë pasi Bedri Hamza mori drejtimin e PDK-së dhe në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke sinjalizuar se tensionet brenda partisë ende nuk janë shuar.

