Tiranë, 30 tetor 2025 – Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lënë ambientet e SPAK rreth një orë pasi hyri në Prokurorinë e Posaçme këtë të enjte.
Pas daljes, Basha u ndal për pak minuta përpara gazetarëve, duke konfirmuar se ishte thirrur si person që ka dijeni për një çështje nën hetim.
“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim,” – deklaroi Basha.
I pyetur nga gazetarët nëse thirrja kishte lidhje me dosjen e “21 Janarit”, ish-kryedemokrati nuk dha detaje, duke theksuar se do të respektojë sekretin hetimor.
“Informacionin se për cilën çështje jam thirrur, ju lutem ta merrni drejtpërdrejt nga institucioni, sepse ligjërisht dua të respektoj sekretin hetimor. Këto janë të gjitha që kam për të deklaruar për këtë çështje,” – tha ai.
Basha më pas u largua pa dhënë komente të tjera. Nuk dihet ende se për cilën çështje konkrete është pyetur, ndërsa burime nga SPAK nuk kanë dhënë informacion zyrtar mbi hetimin për të cilin është thirrur.

