Qeveria e Sllovenisë ka miratuar në një seancë korrespondence një projektligj për pagesën e ndihmës dimërore, me synimin për të lehtësuar barrën ekonomike të punëtorëve dhe pensionistëve gjatë muajve të ftohtë. Kjo ndihmë përbën një të drejtë të re në legjislacionin e punës, që garanton për çdo punonjës pagesën e një shume të barabartë me gjysmën e pagës minimale në vend.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo masë synon të rrisë motivimin e punëtorëve dhe të forcojë atraktivitetin e formave të qëndrueshme të punësimit, në raport me punët e përkohshme apo të pasigurta.
Ndihma dimërore do të paguhet 18 ditë pas pagesës së pagës së nëntorit, ndërsa në raste të veçanta mund të shtyhet deri më 31 mars 2026. Pagesa do të jetë e përjashtuar nga tatimet dhe kontributet, brenda kuadrit ligjor ekzistues.
Për kompanitë që përballen me vështirësi financiare, lejohet që të paktën një e katërta e shumës të paguhet deri më 18 dhjetor 2025, dhe pjesa tjetër deri në fund të marsit 2026.
Në sektorin publik, megjithatë, pagesa do të kryhet më herët dhe pa shtyrje.
Projektligji përfshin edhe pensionistët, të cilët do të përfitojnë 150 euro ndihmë dimërore, që do të paguhet më 19 dhjetor 2025. Për ata që fitojnë të drejtën më vonë, pagesa do të bëhet me pensionin e majit 2026.
Shuma është e njëjtë për të gjithë, përfshirë përfituesit e pensioneve të pjesshme apo të paaftësisë, dhe nuk do të ndikojë në llogaritjen e përfitimeve sociale.
Projektligji sjell edhe ndryshime në sistemin e taksimit të vetëpunësuarve, përmes rritjes së pragut të të ardhurave dhe futjes së taksimit progresiv, me qëllim të reduktimit të abuzimeve dhe shpërndarjes më të drejtë të barrës fiskale.
Sipas qeverisë, ligji synon të mbrojë qytetarët nga kostot e larta të jetesës gjatë dimrit, kur shpenzimet për ngrohje, ushqim dhe transport rriten ndjeshëm.
Nëse miratohet nga parlamenti, pagesat e para të ndihmës dimërore mund të realizohen brenda këtij viti, duke ofruar një mbështetje konkrete për punëtorët, pensionistët dhe sipërmarrësit e vegjël në Slloveni.

