Lumir Abdixhiku ka shpalosur vizionin politik të Lidhja Demokratike e Kosovës për ndërtimin e një shteti që, sipas tij, është i pranishëm në çdo fazë të jetës së qytetarit.
Në një postim publik, Abdixhiku theksoi se çdo shoqëri serioze duhet të nisë me një pyetje themelore: çfarë i detyrohet shteti qytetarit të vet – jo vetëm në kohë krize apo në fund të jetës, por që nga dita e parë.
“Kontrata e Jetës me Shtetin”
Sipas Abdixhikut, LDK synon një shtet që nuk shfaqet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por ecën krah për krah me qytetarin gjatë gjithë jetës. Ky vizion përmblidhet në konceptin e quajtur “Kontrata e Jetës me Shtetin”.
Në kuadër të këtij programi, Abdixhiku ka prezantuar disa masa konkrete:
-
200 euro në muaj për çdo të porsalindur, për një periudhë prej një viti
-
Çerdhe publike dhe edukim të hershëm cilësor
-
Mësim tërëditor në shkolla, shujta të ngrohta dhe kushte të barabarta për të gjithë nxënësit
-
Integrim të teknologjisë dhe kodimit në arsim, me fokus në përgatitjen për tregun e ardhshëm të punës
-
Trajnim për 40 mijë të rinj dhe punësim të garantuar pas diplomimit
Abdixhiku theksoi se roli i shtetit nuk duhet të jetë bamirës, por partner aktiv i qytetarit, duke ndërtuar siguri sociale dhe perspektivë afatgjatë.
“LDK ka plan. Ka ekip. Ka vullnet,” deklaroi ai, duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin këtë vizion në zgjedhje.
Në fund të mesazhit, Abdixhiku rikujtoi numrin zgjedhor të partisë, duke theksuar se “123 është zgjedhja”.


