Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit takime të ndara me Rainer Rudolph, Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, dhe Maurizio Antonini, Ambasadorin e Italisë në Kosovë.
Po ashtu, Abdixhiku ka pranuar urime për Kuvendin demokratik të LDK-së nga Anu Prattipati, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, si dhe nga Jonathan Hargreaves, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik, duke i cilësuar këta partnerë si aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të demokracisë së saj.
Në takime u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, qëndrimin e LDK-së ndaj situatës politike, si dhe për domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin qytetar dhe parimet demokratike.
Abdixhiku theksoi nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete, të cilat u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies shoqërore.

