Aktivisti që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka reaguar pas publikimit të letrës së vitit 2022 nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Lushi e ka cilësuar këtë letër si një “farsë”, duke thënë se një kryeministër nuk duhet të mjaftohet me letra, por të ndërmarrë veprime konkrete.
“Letra e Kurtit për Trendafilovën është farsë tallëse. Kreu i një qeverie dhe partisë më të madhe nuk shkruan letra, por vepron”, ka shkruar ai.
Sipas Lushit, Qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të krijojë mekanizma institucionalë për të monitoruar, mbështetur ose ndikuar proceset që lidhen me Dhomat e Specializuara, si p.sh. komisione në Kuvend, ekipe ekspertësh ndërkombëtarë, ose financim të avokatëve me përvojë të lartë.
Ai shton se mungesa e këtyre hapave përbën, sipas tij, dështim të ekzekutivit për të treguar se Specialja nuk duhet të vendoset “mbi shtetin”.
Kryeministri Kurti e publikoi sot letrën në pesëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ka kërkuar lirimin e tyre me kusht dhe garantimin e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës.

