Një muaj para zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, liderët evropianë Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Donald Tusk do të vizitojnë Kishinau të mërkurën për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë. Sipas Pallatit Elize, vizita ka për qëllim të riafirmojë mbështetjen për sigurinë, sovranitetin dhe rrugën evropiane të Moldavisë.
Ky hap shihet si një paralajmërim i qartë për Rusinë, e cila akuzohet se po tenton të ndikojë në procesin zgjedhor përmes dezinformimit dhe përpjekjeve për të fituar mbështetje mes moldavëve në diasporë. Shefi i sigurisë kombëtare, Stanislav Secrieru, paralajmëroi muajin e kaluar për fushata të koordinuara ruse kundër Kishinau.
Zgjedhjet e vitit të kaluar, ku presidentja Maia Sandu fitoi rizgjedhjen dhe moldavët votuan pro anëtarësimit në BE, po ashtu u shoqëruan me akuza për ndërhyrje nga Moska. Sandu paralajmëroi për “ndërhyrje të paprecedentë” edhe në zgjedhjet e shtatorit.
Ndërkohë, BE po shqyrton hapjen e negociatave zyrtare me Moldavinë, hap që do të forconte rrugën e saj drejt anëtarësimit, por që mund të tensionojë më tej marrëdhëniet me Rusinë dhe të shtojë pakënaqësinë e Ukrainës, e cila mbetet e bllokuar nga vetoja e Hungarisë.